Që nga dita e parë, ne e kemi krijuar WhatsApp për të të ndihmuar të qëndrosh në kontakt me shokët, të ndash informacione jetësore gjatë katastrofave natyrore, të rilidhesh me familjarët e ndarë ose të kërkosh një jetë më të mirë. Disa nga momentet e tua më personale ndahen me WhatsApp dhe kjo është arsyeja pse ne kemi integruar enkriptimin nga skaji në skaj në aplikacionin tonë. Kur janë të enkriptuara nga skaji në skaj, mesazhet, fotografitë, videot, mesazhet zanore, dokumentet dhe telefonatat e tua janë të siguruara që të mos bien në duar të gabuara.
Enkriptimi nga skaji në skaj i WhatsApp përdoret kur i dërgon mesazh një personi tjetër duke përdorur WhatsApp Messenger. Enkriptimi nga skaji në skaj siguron që vetëm ti dhe personi me të cilin po komunikon mund t’i lexoni ato që dërgohen dhe askush tjetër mes jush, as edhe WhatsApp. Kjo ndodh sepse, me enkriptimin nga skaji në skaj, mesazhet e tua janë të siguruara me një kyç dhe vetëm marrësi dhe ti e keni çelësin e veçantë që nevojitet për t’i shkyçur dhe lexuar ato. Të gjitha këto ndodhin automatikisht: nuk ka nevojë të aktivizosh parametrat ose të konfigurosh biseda speciale sekrete për t’i siguruar mesazhet e tua.
Çdo mesazh i WhatsApp mbrohet nga i njëjti protokoll i enkriptimit të sinjalit që i siguron mesazhet para se të largohen nga pajisja jote. Kur dërgon mesazh te një llogari biznesi të WhatsApp, mesazhi yt dërgohet në mënyrë të sigurt në destinacionin e zgjedhur nga biznesi.
WhatsApp i konsideron bisedat me bizneset që përdorin aplikacionin WhatsApp Business ose që i menaxhojnë dhe i ruajnë vetë mesazhet e klientëve si të enkriptuara nga skaji në skaj. Pasi të merret mesazhi, ai do të jetë objekt i praktikave të privatësisë së biznesit. Biznesi mund të caktojë një numër punonjësish, ose edhe shitës të tjerë, për përpunimin dhe përgjigjen ndaj mesazhit.
Disa biznese1 do të mund të zgjedhin Facebook, kompaninë mëmë të WhatsApp, për të ruajtur në mënyrë të sigurt mesazhet dhe për t’iu përgjigjur klientëve. Mund të kontaktosh gjithmonë me atë biznes për të mësuar më shumë për praktikat e tij të privatësisë.
Pagesat në WhatsApp, të cilat janë të disponueshme në shtete të caktuara, bëjnë të mundur transfertat mes llogarive në institucionet financiare. Numrat e kartave dhe të bankave ruhen si të enkriptuar dhe në një rrjet mjaft të sigurt. Sidoqoftë, duke qenë se institucionet financiare nuk mund t’i përpunojnë transaksionet pa marrë informacionet në lidhje me këto pagesa, këto pagesa nuk janë të enkriptuara nga skaji në skaj.
WhatsApp dëshiron të sigurohet që ti e di se çfarë po ndodh me mesazhet e tua. Nëse nuk dëshiron të marrësh mesazhe nga një person ose biznes, mund ta bllokosh gjithmonë atë drejtpërdrejt nga biseda ose ta fshish atë nga lista jote e kontakteve. Ne dëshirojmë të sigurohemi që ti e kupton se si trajtohen mesazhet e tua dhe se ke opsionet që të duhen për të marrë vendimet e duhura për ty.
Lexo një shpjegim teknik të detajuar për enkriptimin nga skaji në skaj të WhatsApp, të zhvilluar në bashkëpunim me Open Whisper Systems.
Kontrollo Njoftimet për sigurinë për përditësime të rregullta në lidhje me sigurinë.
1 Në 2021.